Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar ashpër ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, pas fjalimit që mbajti të enjten në Kuvendin e Shqipërisë, njofton Insajderi.
Fjalimin e Osmanit, ajo e ka quajtur turp të madh, të cilin tha se nuk e lanë dot as kërkimfalja më e thellë.
Tutje, Haxhiu është shprehur se Osmani po “shkelë pa mëshirë në një kohë të ligë, fyen vetëdijen dhe solidaritetin shqiptar duke e shfrytëzuar maksimalisht një pozicion që ia rezervon Kushtetuta e Kosovës e jo besimi qytetetar”.
“Lobimi” i Vjosa Osmanit në Parlamentin Shqiptar (spikeres së mirë do të thoshin nga VV) dhe tendeca e saj e ulët për t’iu dhënë “leksione”e “mësime” institucioneve shqiptare për të përkrahur Republikën e Kosovës, shpërfaq paditurinë më të madhe të një politikani në raport me zhvillimet më shumë se 30 vjeçare ndërvllazërore në mes Shqipërisë dhe Kosovës”, ka shkruar deputetja e AAK-së në profilin e saj në Facebook./insajderi.com